NextGen Entrepreneurs – Trajnimi i Katërt: Planifikimi dhe Menaxhimi Financiar

Më 24 tetor 2026, në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës (UET), u zhvillua trajnimi i katërt i programit “NextGen Entrepreneurs – Program Mentorimi dhe Financimi për të Rinj”, me fokus te planifikimi dhe menaxhimi financiar i një biznesi.

Gjatë sesionit, pjesëmarrësit u njohën me konceptet kryesore të menaxhimit financiar, duke përfshirë identifikimin e kostove fillestare dhe operative, përcaktimin e çmimeve, llogaritjen e marzhit dhe pikës së barazimit, si dhe planifikimin e fluksit të parasë (cash flow). Një vëmendje e veçantë iu kushtua rëndësisë së planifikimit të shpenzimeve dhe përdorimit të kujdesshëm të burimeve financiare për të mbështetur zhvillimin e ideve të biznesit.

Përmes ushtrimeve praktike, të rinjtë punuan mbi modelet e tyre të biznesit, duke u orientuar drejt përgatitjes së një parashikimi financiar tre-mujor dhe përcaktimit të nevojave financiare për hapat e ardhshëm. Ky proces synon t’i ndihmojë ata të vlerësojnë më mirë qëndrueshmërinë e ideve të tyre dhe të marrin vendime të informuara për zhvillimin e një biznesi.

Programi NextGen Entrepreneurs zbatohet nga Instituti Liberal i Tiranës “Pashko” (ILP), me mbështetjen e Fondacionit Albanian Besa Capital (ABC), dhe synon të fuqizojë të rinjtë përmes trajnimit praktik, mentorimit dhe mbështetjes për zhvillimin e ideve të qëndrueshme sipërmarrëse.