Në kuadër të projektit “100 Foto, Një Shqipëri – Destinacionet Turistike të Vendit përmes Artit Pamor”, u zhvillua në Çermenikë aktiviteti hapës i projektit, me një pjesëmarrje totale prej 28 personash. Pjesëmarrësit përfaqësonin kategori të ndryshme, përfshirë drejtues dhe përfaqësues të administratës vendore të Çermenikës,Orej,Shtimje, bashkisë Elbasan, gazetarë, studentë, kuratorin e projektit, përfaqësues të organizatës zbatuese, fotografë dhe aktorë të tjerë lokalë.

Gjatë aktivitetit u prezantuan qëllimi, aktivitetet dhe rezultatet e pritshme të projektit, i cili në këtë fazë fokusohet në dokumentimin dhe promovimin e Çermenikës përmes fotografisë dhe artit pamor. Diskutimi u përqendrua në pasuritë natyrore, peizazhet, trashëgiminë kulturore, traditat, objektet me vlerë historike dhe elementet e identitetit lokal që do të pasqyrohen në materialet fotografike të projektit.

Pjesëmarrësit ndanë sugjerime konkrete mbi vendet, historitë dhe karakteristikat më përfaqësuese të Çermenikës, të cilat mund të përfshihen në procesin e dokumentimit fotografik. Kuratori prezantoi qasjen artistike dhe kriteret që do të udhëheqin realizimin, përzgjedhjen dhe interpretimin e fotografive.

Ky projekt realizohet me mbështetjen financiare të Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, në kuadër të programeve për nxitjen e artit, kulturës dhe promovimit të destinacioneve turistike shqiptare.